Secondary Adv

Shkarkimet nga digat dhe kanalet e bllokuara, rritet sipërfaqja e serrave të përmbytura, kostot

Përmbytjet e përsëritura po rrisin dëmet në serrat e Myzeqesë dhe rrezikojnë prodhimin bujqësor dhe eksportet.

Që nga nëntori i vitit 2025 dhe deri më tani, serrat e Myzeqesë janë përmbytur tre herë, ndërsa dëmet e fundit vlerësohen si kolosale si për ekonominë lokale të fermerëve, ashtu edhe për ekonominë kombëtare për shkak të mungesës së prodhimit. Ende pa u vlerësuar dëmet e përmbytjeve të nëntorit, serrat janë rrafshuar për herë të tretë, duke rënduar më tej situatën.

 

Mirlind Saraçi nga fshati Kosovë e Vogël në Lushnje ka pësuar rreth 150 mijë euro dëme nga përmbytja e tre hektarëve serë dhe shkatërrimi i prodhimit që ishte gati për treg këto ditë. Si ai, qindra e mijëra fermerë në të gjithë vendin kanë pësuar dëme të mëdha, të cilat sipas tyre janë nxitur më shumë nga mungesa e menaxhimit sesa nga reshjet.

 

Shkarkimet dhe kanalet e bllokuara

Fermeri shprehet se këtë herë sipërfaqja e përmbytur është shumë më e madhe dhe se shkak për rritjen e nivelit të ujit është bërë hapja e portave të HEC-it të Banjës. Hapja e portave, sipas tij, gjeti kanalet të bllokuara, ndërsa në zonën ku jeton prej 13 vitesh nuk është ndërhyrë për hapjen e kanaleve dhe kolektorëve kryesorë, në një kohë kur qindra milionë euro janë investuar në sera.

 

Si pasojë e shkarkimeve, uji ka përmbytur edhe sipërfaqe të reja që nuk ishin prekur nga reshjet, ndërsa përmbytjet vijojnë të zgjerohen.

 

Sipërfaqe të mëdha nën ujë

Ekspertët llogarisin se deri dje sipërfaqja e përmbytur ka arritur në rreth 40 mijë hektarë dhe vijon të rritet. Sipas tyre, ndërtimet pa leje mbi kanale dhe kolektorë të mëdhenj janë toleruar ndër vite, duke bllokuar rrjedhën natyrore të ujit dhe duke e bërë zonën veçanërisht të rrezikuar nga përmbytjet.

 

Ky degradim i sistemit të kullimit e ka ekspozuar territorin ndaj reshjeve, ndërsa situata është përkeqësuar ndjeshëm nga menaxhimi i digave dhe hidrocentraleve. Fermerët pretendojnë se rezervuarët janë mbushur dhe më pas portat janë hapur për shkarkim pa njoftim paraprak.

 

Ndikimi i hidrocentraleve dhe dëmet në blegtori

Projektet e hidrocentraleve me basen kanë ndikuar pozitivisht në sigurinë energjitike të vendit, por njëkohësisht kanë rritur ekspozimin e zonave të tjera ndaj përmbytjeve. Zona e Shkodrës është përmbytur historikisht nga hapja e portave të kaskadave mbi lumin Drin, ndërsa investime të ngjashme janë bërë edhe në hidrocentrale të tjera, kryesisht në Devoll.

 

Dëme të konsiderueshme janë shënuar edhe në blegtori. Në Dimal të Beratit, në zonat Banaj dhe Sheq, ka humbje të rezervave ushqimore dhe mijëra shpendë kanë ngordhur, ndërsa të gjitha zonat e përmbytura ndodhen në emergjencë për sigurimin e ushqimit për bagëtitë.

 

Efekti në treg dhe eksporte

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se zonat e përmbytura kontribuojnë rreth 65 për qind të prodhimit të perimeve në vend dhe dominojnë pothuajse 80 për qind të eksporteve të prodhimeve të freskëta. Përveç dëmit të drejtpërdrejtë në ekonominë e fermerëve, përmbytjet e këtyre ditëve pritet të ndikojnë negativisht në çmimet me pakicë të produkteve bujqësore dhe në rënien e eksporteve.

 

Vitin e kaluar, eksportet e ushqimeve dhe pijeve ishin të vetmet që ruajtën ritmet e rritjes gjatë gjithë vitit, ndryshe nga grupet e tjera të cilat janë në trend rënës dhe me luhatje prej gati dy vitesh.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat